E Enjte, 29 Tet 2026
SPORT21 Sht 2026

Xhaka pranon se bleu certifikatë vaksinimi: “Kisha frikë dhe isha i pasigurt”

Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, ka reaguar lidhur me hetimet e autoriteteve zvicerane për një certifikatë të dyshuar të rreme të vaksinimit kundër COVID-19.

Prokuroria e Luzernit ka nisur procedurë ndaj Xhakës dhe një mjekeje, me qëllim sqarimin nëse është kryer vepër penale lidhur me marrjen ose falsifikimin e certifikatës së vaksinimit. Hetimet janë ende në zhvillim dhe për të dy personat vlen prezumimi i pafajësisë.

Xhaka ka pranuar se gjatë asaj periudhe kishte pasur frikë dhe pasiguri të mëdha lidhur me vaksinën kundër COVID-19.

Ai ka treguar se, në vend që shqetësimet t’i trajtonte përmes procedurave zyrtare, kishte siguruar një vërtetim vaksinimi.

“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht.

Në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, në atë kohë isha shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i përfshirë nga frika dhe pasiguria.

Në këtë gjendje emocionale të trazuar, bleva një vërtetim vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet dhe shqetësimet e mia përmes rrugës së paraparë”, ka deklaruar Xhaka.

Futbollisti ka pranuar se vendimi i tij ishte i gabuar dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet.

“Sot e kuptoj qartë se ky veprim nuk ishte i drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq.

Marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, ka thënë Xhaka.

Hapsir Reklamuese