Gjykata sqaron pse Egzon Shallki u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit
Gjykata Themelore në Gjilan ka sqaruar arsyet pse Egzon Shallki, i dënuar për vdekjen e 20-vjeçarit Auron Ferizi në Viti, mori 25 vjet burgim dhe jo dënim me burgim të përjetshëm.

Sipas gjykatës, gjatë kryerjes së veprës penale, Shallki kishte aftësi esencialisht të zvogëluar mendore. Kjo rrethanë, sipas Kodit Penal të Kosovës, përjashton mundësinë e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm.
Ngjarja tragjike ndodhi më 8 shtator 2025, në sheshin “Bafti Haxhiu” në Viti, ku Shallki, duke drejtuar një veturë, goditi një grup personash që po qëndronin pranë një tavoline. Nga incidenti u lënduan disa persona, ndërsa Auron Ferizi ndërroi jetë më 10 shtator 2025 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjykata ka bërë të ditur se gjatë përcaktimit të dënimit janë marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese, në përputhje me nenin 41, paragrafin 3, të Kodit Penal.
Përveç dënimit me 25 vjet burgim, Shallkit i është shqiptuar edhe masa plotësuese e heqjes së lejes së vozitjes për pesë vjet.
Paraburgimi ndaj tij do të vazhdojë deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit. Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i vendimit me shkrim.
**Shënim:** Aktgjykimi nuk është ende i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese.