Trump përmend Kosovën në OKB dhe e falënderon për angazhimin në Gaza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur Kosovën gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, teksa ka folur për përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza.

**Trump përmend Kosovën në OKB dhe e falënderon për angazhimin në Gaza**
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur Kosovën gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, teksa ka folur për përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza.
Trump ka falënderuar vendet që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar me trupa, pjesëtarë të policisë dhe trajnime në kuadër të përpjekjeve për stabilizimin e Gazës.
“Dua gjithashtu të falënderoj ata që kanë angazhuar trupa, policë dhe trajnime për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjerë”, ka deklaruar Trump.
Në fjalimin e tij, ai ka përmendur edhe kontributet financiare të shteteve të ndryshme për ndihmën humanitare dhe rindërtimin e Gazës, duke thënë se këto fonde synojnë t’u shërbejnë drejtpërdrejt nevojave të popullsisë.
Trump ka folur gjithashtu për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kujtuar tensionet e mëparshme mes dy vendeve.
Ai ka deklaruar se kishte ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, duke u bërë të qartë të dyja palëve se një përplasje do të kishte pasoja në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë: Nëse përplaseni, nuk ka më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: ‘Ndoshta nuk do të përplasemi’”, ka thënë Trump.

