Taulant Seferi: Objektivi i Shqipërisë është vendi i parë
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Seferi, ka folur në konferencën për media para ndeshjeve të Ligës së Kombeve, duke treguar objektivin e skuadrës kuqezi.

**Taulant Seferi: Objektivi i Shqipërisë është vendi i parë**
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Seferi, ka folur në konferencën për media para ndeshjeve të Ligës së Kombeve, duke treguar objektivin e skuadrës kuqezi.
Seferi ka bërë të ditur se synimi i Shqipërisë është përfundimi në vendin e parë, por ka theksuar se skuadra duhet të jetë e përqendruar në çdo ndeshje dhe të mos e nënvlerësojë asnjë kundërshtar.
“Objektivi ynë si Kombëtare është vendi i parë, por duhet të shohim ndeshje pas ndeshje, sepse në futbollin e sotëm nuk ka më ndeshje të lehta. Duhet të japim maksimumin, të fokusohemi 100 për qind dhe të punojmë fort”, ka deklaruar Seferi.
Sulmuesi ka folur edhe për ndryshimet në lojën e Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit Maran. Sipas tij, ekipi po kërkon të ketë më shumë posedim të topit, të luajë më shumë në sulm dhe të aplikojë presing më të lartë.
“Trajneri Maran dëshiron që të luajmë me topin, më shumë futboll sulmues dhe që ekipi të bëjë presing. Për ne sulmuesit është më mirë kur bëjmë presing dhe kur e kemi topin më shumë. Këto ditë kemi punuar më shumë me topin”, ka thënë ai.
Seferi ka theksuar se lojtarët janë përshtatur mirë me këtë mënyrë loje dhe shpreson që puna në stërvitje të reflektohet edhe në ndeshjet zyrtare.
I pyetur për rolin e tij në ekip, ai ka thënë se vendimin për formacionin e merr trajneri, ndërsa është i gatshëm të respektojë çdo zgjedhje të tij.
“Trajneri vendos nëse do të luaj apo do të jem në bankën rezervë. Do ta vlerësoj çdo vendim të trajnerit. Ne jemi të kënaqur, pikë së pari sepse jemi në Kombëtare”, është shprehur Seferi.
Ai ka përsëritur se Shqipëria nuk duhet të nënvlerësojë asnjë kundërshtar dhe ka vlerësuar besimin që ekziston brenda skuadrës.
“Duhet vlerësuar në maksimum çdo kundërshtar që kemi në grup. Kemi shumë besim, sepse e kemi grupin shumë të mirë dhe besojmë se do të dalim me sukses”, ka përfunduar sulmuesi kuqezi.


