Sulmi në Ibër-Lepenc: Nis seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore lidhur me sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, ku të akuzuar janë Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq.

Rasti lidhet me shpërthimin e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, i cili dëmtoi kanalin me rëndësi për furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, vendosën dhe aktivizuan rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT brenda kanalit.
Prokuroria pretendon se shpërthimi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë, rrezikoi prodhimin e energjisë elektrike dhe i shkaktoi ndërmarrjes dëme në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centësh.
Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues përmes dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, në lidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje. Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq për armëmbajtje pa leje.
Të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar.
**Shënim:** Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.