Rrahmani nis procedurat ligjore ndaj personave që e kërcënojnë dhe sulmojnë
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka ndërmarrë hapa ligjorë lidhur me raste të pretenduara të kërcënimeve, sulmeve, fyerjeve dhe dëmtimit të reputacionit të tij nga persona të lidhur me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Zyra e Avokatëve “Hodaj & Partners” ka njoftuar se ka marrë përsipër përfaqësimin juridik të Rrahmanit dhe se tashmë janë ndërmarrë veprimet e para pranë institucioneve të drejtësisë.
Sipas avokatëve, procedurat janë iniciuar mbi bazën e provave dhe fakteve, ndërsa personat përgjegjës, sipas tyre, janë identifikuar ose pritet të përcaktohen gjatë zhvillimit të procedurave ligjore.
Në komunikatë thuhet se Rrahmani për më shumë se dy vjet është përballur me kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme.
“Përkundër kësaj, ai ka zgjedhur që shqetësimet e tij t'i adresojë brenda dhe të mos i bëjë publike, duke vënë interesin e Kombëtares dhe të Kosovës para interesit të tij personal”, thuhet në njoftim.
Nga “Hodaj & Partners” kanë bërë të ditur se, nga ky moment, çështjet që kërkojnë trajtim juridik do të ndiqen përmes rrugëve institucionale dhe mbi bazën e provave.
“Besojmë se institucionet e drejtësisë do ta thonë fjalën e tyre dhe, si përfaqësues ligjorë të z. Rrahmani, do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave, integritetit dhe reputacionit të tij”, përfundon komunikata e zyrës ligjore.