Rasti i Arlinda Zekajt: Komisioni Hetimor vendos që dëshmia e menaxheres së QPS-së në Pejë të mbahet e mbyllur
Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka vendosur, me shumicë votash, që intervistimi i Toska Gegës, menaxhere në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë, të zhvillohet pa praninë e publikut.

Kërkesën për mbylljen e seancës e paraqiti vetë Gega, duke arsyetuar se gjatë dëshmisë do të trajtohet edhe një çështje që përfshin një të mitur.
“Kam një kërkesë që komisioni të mbahet me dyer të mbyllura për arsye se në pyetje është një i mitur”, deklaroi ajo.
Kjo kërkesë nxiti diskutime mes deputetëve anëtarë të Komisionit. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, propozoi që pjesa fillestare e intervistimit, të cilën e konsideroi më të përgjithshme, të zhvillohej në seancë publike.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kërkoi që procesi të jetë transparent dhe seancat të mbyllen vetëm në pjesët ku vlerësohet se një gjë e tillë është e domosdoshme.
“Ky komision duhet me qenë i hapur, përveç në ato përgjigje që ju vlerësoni që duhet të jetë i mbyllur”, u shpreh Rrahmani.
Megjithatë, pas votimit, anëtarët e Komisionit vendosën që i gjithë intervistimi i Toska Gegës të zhvillohet me dyer të mbyllura për publikun.