E Enjte, 29 Tet 2026
POLITIKË15 Tet 2026

Policia e Shtetit apel prindërve pas protestave: Kontrolloni ku ndodhen fëmijët tuaj

Policia e Shtetit në Shqipëri ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e të miturve në protestat e ditëve të fundit, duke bërë të ditur se disa prej tyre janë ekspozuar ndaj dhunës dhe përplasjeve me efektivët policorë.

Përmes një deklarate, Policia u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë të kontrollojnë vendndodhjen e fëmijëve të tyre dhe të sigurohen që ata të mos përfshihen në situata që rrezikojnë jetën dhe shëndetin.

Sipas Policisë, në disa raste të miturit janë gjendur pranë vijës së parë të përplasjeve, ku janë hedhur sende të forta dhe mjete piroteknike, ndërsa është përdorur edhe gaz lotsjellës.

“Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre”, thuhet në thirrjen e Policisë.

Institucioni ka shprehur gjithashtu shqetësim për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve për interesa të caktuara, duke theksuar se shfrytëzimi i fëmijëve në situata të dhunshme nuk përbën ushtrim të së drejtës për protestë.

Policia ka paralajmëruar se çdo rast i dyshuar i nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u përcillet institucioneve kompetente.

Në deklaratë theksohet se Policia respekton të drejtën për protestë paqësore, por do të ndërmarrë masa të nevojshme dhe proporcionale për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.

Në fund, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të shmangin çdo akt dhune apo dëmtimi të institucioneve dhe pronës publike e private.

Hapsir Reklamuese