PISA 2025: Kosova ndër vendet me performancën më të dobët në arsim
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë një përkeqësim të ndjeshëm të rezultateve të nxënësve në lexim dhe matematikë në shumë vende, ndërsa Kosova vazhdon të renditet në mesin e shteteve me performancën më të dobët.

PISA 2025: Kosova ndër vendet me performancën më të dobët në arsim
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë një përkeqësim të ndjeshëm të rezultateve të nxënësve në lexim dhe matematikë në shumë vende, ndërsa Kosova vazhdon të renditet në mesin e shteteve me performancën më të dobët.
Në edicionin e vitit 2025 morën pjesë më shumë se 760 mijë nxënës nga 91 vende dhe ekonomi. Testimi i PISA-s vlerëson aftësitë e 15-vjeçarëve në tri fusha kryesore: shkencë, matematikë dhe lexim.
Në vendet anëtare të OECD-së, rezultati mesatar në lexim ka rënë me 28 pikë ndërmjet viteve 2015 dhe 2025, një rënie që OECD e lidh me rreth një vit e gjysmë shkollim. Në matematikë, gjatë së njëjtës periudhë është regjistruar rënie prej 22 pikësh, e barasvlershme me pak më shumë se një vit mësimi.
Rënie janë evidentuar edhe në vendet jashtë OECD-së, ku rezultatet kanë rënë mesatarisht me 16 pikë në lexim dhe 8 pikë në matematikë.
Sipas OECD-së, rezultatet mesatare të vendeve anëtare kanë arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë nga PISA në këto dy fusha.
Ndryshe paraqitet situata në shkencë. Mesatarja e rezultateve në vendet e OECD-së ka mbetur e pandryshuar nga viti 2022 deri në vitin 2025, pas një periudhe të gjatë rënieje.
Ndërkohë, tashmë rreth një në pesë nxënës 15-vjeçarë në vendet e OECD-së klasifikohet si performues i dobët në të tri fushat – shkencë, matematikë dhe lexim. Në vitin 2022, kjo ishte rreth një në gjashtë nxënës.
Kosova me rezultate shqetësuese
Të dhënat për Kosovën paraqesin një situatë veçanërisht shqetësuese.
Në PISA 2025, nxënësit 15-vjeçarë në Kosovë kanë arritur mesatarisht:
* 357 pikë në shkencë * 350 pikë në matematikë * 340 pikë në lexim
Krahasuar me rezultatet e vitit 2022, performanca në shkencë ka mbetur në të njëjtin nivel. Në matematikë, rezultati ka zbritur nga 355 në 350 pikë, ndërsa në lexim nga 342 në 340 pikë. Sipas OECD-së, ndryshimi në lexim nuk konsiderohet statistikisht domethënës.
Shifrat bëhen edhe më shqetësuese kur merret parasysh përqindja e nxënësve me performancë të ulët. 73.8 për qind e nxënësve në Kosovë konsiderohen me performancë të dobët në të tria fushat, duke e pozicionuar vendin ndër shtetet me përqindjen më të lartë të nxënësve në këtë kategori.
Në shkencë, 78.6 për qind e nxënësve kosovarë janë klasifikuar si performues të dobët. Për më tepër, sipas të dhënave të PISA-s, asnjë nxënës në Kosovë nuk ka arritur nivelet 5 ose 6, që përfaqësojnë nivelet më të larta të performancës.
PISA 2025 ka përfshirë për herë të parë edhe vlerësimin e aftësive për zgjidhjen e problemeve në botën digjitale. Në këtë fushë, Kosova ka marrë 359 pikë, dukshëm nën mesataren prej 500 pikësh të OECD-së.
OECD ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me përdorimin e pakontrolluar të pajisjeve digjitale dhe inteligjencës artificiale në procesin mësimor. Sipas organizatës, inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme për të nxënit kur përdoret në mënyrë të qëllimshme dhe nën udhëzim, por nuk duhet të zëvendësojë përpjekjen individuale dhe aftësinë e nxënësve për të menduar në mënyrë të pavarur.

