Nga doracakët seksualë te rezultatet e PISA-s: Si u zhvillua arsimi gjatë Qeverisë Kurti?
Rezultatet e PISA 2025 kanë rikthyer në qendër të debatit gjendjen e arsimit në Kosovë, pasi nxënësit kosovarë kanë regjistruar ndër rezultatet më të dobëta në mesin e vendeve dhe ekonomive pjesëmarrëse.

Nga doracakët seksualë te rezultatet e PISA-s: Si u zhvillua arsimi gjatë Qeverisë Kurti?
Rezultatet e PISA 2025 kanë rikthyer në qendër të debatit gjendjen e arsimit në Kosovë, pasi nxënësit kosovarë kanë regjistruar ndër rezultatet më të dobëta në mesin e vendeve dhe ekonomive pjesëmarrëse.
Kosova është renditur pothuajse në fund të klasifikimit, me rezultate që në disa fusha janë edhe më të ulëta se ato të Palestinës.
Shqetësues është fakti se performanca e nxënësve kosovarë është përkeqësuar në krahasim me gjeneratat që iu nënshtruan testimit rreth një dekadë më parë. Rezultatet janë dobësuar në matematikë, lexim dhe shkencë.
Kjo ka nxitur kritika ndaj mënyrës se si është menaxhuar sistemi arsimor gjatë viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, pasi përkundër kohës së kaluar në pushtet, nuk është evidentuar përmirësim i qëndrueshëm në rezultatet e nxënësve.
Një nga çështjet që ka shoqëruar debatin për arsimin gjatë kësaj periudhe është edhe përgatitja dhe publikimi i materialeve për edukimin seksual, të hartuara gjatë kohës kur Arbërie Nagavci drejtonte Ministrinë e Arsimit.
Doracakët e edukimit seksual
Materialet për edukimin seksual të përgatitura gjatë mandatit të Nagavcit u përballën me kritika për përmbajtjen dhe gjuhën e përdorur.
Pas raportimeve dhe hulumtimeve publike, u bë e ditur se një pjesë e konsiderueshme e materialeve ishin përkthime nga botime të përdorura në disa shkolla private në Gjermani, duke ngritur pikëpyetje rreth mënyrës së përkthimit dhe përshtatjes së tyre për nxënësit në Kosovë.
Një prej kapitujve të doracakëve mbante titullin “Lojërat seksuale në role” dhe përmbante formulime që shkaktuan reagime të shumta.
Në një pjesë të materialit flitej për lojëra në role me përmbajtje seksuale, të cilat përshkruheshin si mënyrë për t'i ndihmuar nxënësit të njihnin trupin dhe të përpunonin ndikimet mediale përmes lojës.
Kritika pati edhe për një kapitull të quajtur “Fjalori seksual”, ku trajtohej përdorimi i shprehjeve me përmbajtje seksuale nga fëmijët dhe adoleshentët.
Materialet shpjegonin se fëmijët dhe nxënësit përdorin shprehje të tilla në fjalorin e tyre, shpesh pa e ditur domethënien, për të parë reagimet e të tjerëve ose për të provokuar.
Pikërisht këto formulime dhe mënyra e paraqitjes së temave ngritën diskutime rreth cilësisë së përkthimit dhe përshtatjes së materialeve.
Aktivitetet e parapara për nxënësit
Debati u zgjerua edhe për shkak të disa aktiviteteve të përfshira në materialet mësimore.
Në to parashihej edhe praktikimi i vendosjes së prezervativit në një model ose në banane, si dhe organizimi i garave mes nxënësve për të parë se kush i zbatonte të gjithë hapat.
Një aktivitet tjetër parashihte që nxënësit të provonin të blinin prezervativ dhe më pas të diskutonin apo shpjegonin reagimin e shitësit.
Pas reagimeve të shumta publike, Ministria e Arsimit njoftoi se materialet do t'i nënshtroheshin rishikimit dhe më pas ato u tërhoqën nga përdorimi.
Vetë MASHTI kishte pranuar në atë kohë se disa materiale arsimore përmbanin probleme serioze.
Ministria kishte deklaruar se gjatë tri viteve paraprake kishte rishikuar një numër të madh tekstesh dhe dokumentesh që përmbanin gjuhë të papërshtatshme ose denigruese, si dhe pasaktësi shkencore.
Rasti u shndërrua në një prej episodeve më të debatuara lidhur me punën e Ministrisë së Arsimit gjatë kohës së drejtimit nga Nagavci.
Ndërsa sot, ky debat rikthehet në një kontekst tjetër, pas publikimit të rezultateve të PISA-s, të cilat nxjerrin në pah vështirësi shumë më themelore në arsimin kosovar.
## PISA 2025: Rezultate shqetësuese në tri fusha
Të dhënat e PISA 2025 paraqesin një situatë të rëndë për arsimin në Kosovë.
Në testim, nxënësit kosovarë arritën mesatarisht 357 pikë në shkencë, 350 në matematikë dhe 340 pikë në lexim. Në zgjidhjen kompjuterike të problemeve, mesatarja ishte 359 pikë.
Këto rezultate janë dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së.
Në krahasim me PISA 2022, rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku rezultati i Kosovës është ulur për pesë pikë. Në lexim ka pasur rënie prej dy pikësh, ndërsa në shkencë ndryshimi nuk konsiderohet statistikisht i rëndësishëm.
Krahasimi me PISA 2018 paraqet një tablo edhe më shqetësuese, pasi OECD-ja konstaton rezultate më të ulëta të Kosovës në matematikë, lexim dhe shkencë.
85 për qind e nxënësve nën nivelin bazë në matematikë
Problemi më i madh shfaqet në matematikë.
Vetëm 15 për qind e nxënësve kosovarë kanë arritur nivelin minimal të aftësisë të përcaktuar nga PISA. Në vendet e OECD-së, kjo përqindje arrin në 65 për qind.
Kjo do të thotë se 85 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë nuk kanë arritur standardin bazë të matematikës.
Në këtë nivel, nxënësi duhet të jetë në gjendje të zgjidhë situata të thjeshta matematikore, si paraqitja e një problemi në formë matematikore, krahasimi i distancave apo konvertimi i çmimeve.
Edhe në lexim rezultatet janë tepër të dobëta.
Vetëm 16 për qind e nxënësve kanë arritur nivelin bazë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 69 për qind.
Rrjedhimisht, 84 për qind e nxënësve nuk kanë arritur nivelin ku pritet të identifikojnë idenë kryesore të një teksti me vështirësi mesatare dhe të gjejnë informacione sipas kritereve të përcaktuara.
Në shkencë, nivelin minimal e kanë arritur vetëm 21 për qind e nxënësve, kundrejt 74 për qind të mesatares së OECD-së.
Ndërkohë, numri i nxënësve kosovarë që kanë arritur nivelet më të larta të performancës është pothuajse i papërfillshëm.
Në të tri fushat së bashku, 73.8 për qind e nxënësve kosovarë kanë mbetur nën nivelin bazë, ndërsa përqindja e atyre me performancë të lartë është praktikisht zero.
Rënie edhe krahasuar me PISA 2015
Të dhënat tregojnë se problemi nuk është i ri.
Në krahasim me vitin 2015, përqindja e nxënësve me performancë nën nivelin bazë është rritur me shtatë pikë përqindjeje si në matematikë, ashtu edhe në lexim.
Në shkencë, rritja ka qenë edhe më e madhe, me 11 pikë përqindjeje, duke shënuar regresin më të theksuar ndër tri fushat.
Gjithashtu, nga viti 2022 deri në vitin 2025 është rritur dallimi mes 10 për qind të nxënësve me rezultatet më të mira dhe 10 për qind të atyre me rezultatet më të dobëta në matematikë.
Problemet nuk kufizohen vetëm te rezultatet e testeve.
Vijueshmëria në mësim është një tjetër çështje e evidentuar në raport.
Rreth 54 për qind e nxënësve kanë deklaruar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testimit. Për krahasim, kjo shifër ishte 51 për qind në vitin 2022 dhe 46 për qind në vitin 2018.
Edhe mungesat në orë kanë shënuar rritje, nga 48 në 56 për qind.
Është dobësuar edhe mbështetja nga familja dhe mësimdhënësit
Raporti i PISA-s evidenton edhe ndryshime në mbështetjen që nxënësit marrin në familje.
Vetëm gjysma e nxënësve kanë deklaruar se diskutojnë çdo javë me prindërit për problemet që lidhen me shkollën. Në vitin 2022, kjo përqindje ishte 65 për qind.
Edhe mbështetja nga mësimdhënësit, veçanërisht në shkencë, është dobësuar krahasuar me vitin 2015.
Raporti evidenton rënie të ndihmës shtesë për nxënësit dhe të përpjekjeve të mësimdhënësve për t'u siguruar se nxënësit e kanë kuptuar përmbajtjen e mësimit.
Debati për reformat dhe Gjykatën Kushtetuese
Një tjetër çështje e përfshirë në kritikat ndaj menaxhimit të arsimit gjatë Qeverisë Kurti lidhet me një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti.
Kurti kishte pretenduar se reformat në arsim po pengoheshin nga Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar një rregulloreje që, sipas tij, lidhej me Universitetin e Prishtinës.
Në debatin publik rreth kësaj deklarate u ngritën pikëpyetje për mënyrën se si po konceptoheshin reformat në arsim, pasi ndryshimet e thella institucionale zakonisht kërkojnë ndërhyrje përmes ndryshimeve ligjore, pakove ligjore, projektligjeve apo akteve të tjera përkatëse.
Në këtë rast, kryeministri kishte argumentuar se një reformë mund të realizohej përmes një rregulloreje.
6 mijë e 632 nxënës iu nënshtruan PISA 2025
Në testimin PISA 2025 në Kosovë morën pjesë 6 mijë e 632 nxënës nga 213 shkolla.
Këta nxënës përfaqësojnë rreth 19 mijë e 900 të rinj kosovarë të moshës 15-vjeçare.
Rezultatet e testimit kanë nxjerrë në pah vështirësi të mëdha në njohuritë bazë të nxënësve, sidomos në matematikë, lexim dhe shkencë.
Në të njëjtën kohë, të dhënat tregojnë probleme edhe me vijueshmërinë në shkollë, mbështetjen familjare dhe ndihmën që nxënësit marrin nga mësimdhënësit.
Në këtë kuadër, rezultatet e PISA 2025 e kanë rikthyer fuqishëm pyetjen se sa efektive kanë qenë politikat dhe reformat e ndërmarra në sistemin arsimor të Kosovës gjatë viteve të fundit.

