Nëna e dy djemve të arrestuar rrëfen incidentin me Besart Ahmetin: “Na thanë të mbyllnim gojën”
Dy djem të një zyrtari policor, njëri prej tyre 16-vjeçar, janë arrestuar më 6 shtator pas një incidenti në parkingun e një qendre tregtare, ku ishte i përfshirë edhe kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.

Nëna e dy djemve të arrestuar rrëfen incidentin me Besart Ahmetin: “Na thanë të mbyllnim gojën”
Dy djem të një zyrtari policor, njëri prej tyre 16-vjeçar, janë arrestuar më 6 shtator pas një incidenti në parkingun e një qendre tregtare, ku ishte i përfshirë edhe kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.
Për rastin, Prokuroria e Prishtinës ka nisur hetim ndaj Ahmetit për dyshimin për kanosje, ndërsa një udhëheqës i një togu të Njësisë Speciale është suspenduar nën dyshimin për keqtrajtim fizik të njërit prej të arrestuarve në stacionin policor në Graçanicë.
Hasene Aliu, nëna e dy të rinjve të arrestuar dhe bashkëshortja e një zyrtari policor, ka rrëfyer versionin e saj për ngjarjen, duke përfshirë zhvillimet në parking dhe ato që, sipas saj, kanë ndodhur më pas në stacionin policor.
Sipas saj, gjithçka nisi kur djali i saj i madh, Adonisi, i kishte rënë borisë së veturës pasi ishte frikësuar se një automjet pranë tyre mund ta godiste. Më pas, sipas saj, kuptuan se automjeti i përkiste Besart Ahmetit.
Aliu pretendon se Ahmeti doli nga vetura dhe iu afrua pjesës së pasagjerit, ku ndodhej djali tjetër i familjes. Ajo thotë se kapiteni kishte futur duart brenda veturës dhe kishte përdorur fjalë fyese.
“Djali i vogël ke ngat, u afru ngat djalit, e djali i tha: ‘Ngadalë o shoq, çka po hin në kerr, mos e prek kerrin, hiqu prej kerrit’”, ka rrëfyer ajo, duke shtuar se pas kësaj situata ishte përshkallëzuar me debate dhe fyerje.
Sipas saj, Ahmeti kishte fotografuar veturën e familjes, ndërsa njëri prej djemve ia kishte goditur telefonin për t’ia ndalur fotografimin. Ajo pretendon se gjatë përplasjes verbale, Ahmeti kishte theksuar vazhdimisht pozitën e tij në polici.
“Non-stop vijke qashtu edhe i thojke gjithçka: ‘A e di kush jam unë? Unë jam komandant i Njësisë Speciale’”, ka treguar Aliu, duke thënë se djali i saj i madh i ishte përgjigjur: “Edhe çka, me tu tut unë që je komandant a?”.
Ajo gjithashtu pretendon se Ahmeti u kishte përmendur djemve se kishte armë me vete.
“Unë armën qitu e kam, me vete e kam armën, unë me armë gjithë tha dal”, ka rrëfyer ajo.
Sipas versionit të saj, situata më pas është përshkallëzuar fizikisht. Aliu ka pretenduar se kur djali i saj po largohej nga vendi, Ahmeti e kishte ndjekur dhe ishte kapur për veturë. Ajo thotë se gjatë kësaj përplasjeje është lënduar edhe Ahmeti në pjesën e pasqyrës së automjetit.
Më pas, sipas Aliut, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zyrtarë policorë. Ajo pretendon se ata ishin treguar të afërt me Ahmetin dhe nuk kishin lejuar që ajo apo djali i saj të shpjegonin versionin e tyre.
“Erdhën Policia edhe menjëherë u afruan te ta sepse e kishin njoftë... na dojshim me folë diçka na e bëjshin neve: ‘Largohuni! Asnjë fjalë! Mëshelne gojën!’”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka treguar se më pas edhe djali 16-vjeçar ishte arrestuar, pasi ishte afruar te vetura dhe po përpiqej të kontaktonte me babanë e tij për ta njoftuar rreth situatës.
Hasene Aliu ka folur edhe për atë që, sipas saj, ka ndodhur në stacionin policor në Graçanicë. Ajo pretendon se kur kishte mbërritur atje bashkë me bashkëshortin, hyrja ishte bllokuar nga pjesëtarë të Njësisë Speciale.
Sipas saj, njëri prej djemve kishte kërkuar ndihmë mjekësore, duke u ankuar për dhimbje dhe probleme me dëgjimin, ndërsa ajo pretendon se kishte vërejtur shenja lëndimi në trupin e tij.
“Na e kishin zënë hyrjen, menxi që hinëm, s’na e lëshojshin rrugën hiç as me hi”, ka thënë Aliu.
Besart Ahmeti nuk ka pranuar të japë deklaratë lidhur me pretendimet, duke sugjeruar që pyetjet të drejtohen te Zyra për Media e Policisë.
Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se Ahmeti po hetohet për dyshimin për kanosje, ndërsa udhëheqësi i një togu të Njësisë Speciale është suspenduar për shkak të dyshimeve për keqtrajtim të njërit prej të rinjve në stacionin policor të Graçanicës.
IPK ka bërë të ditur gjithashtu se hetimet ndaj dy djemve të familjes Aliu do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent, nën dyshimin për veprën penale të sulmit.
**Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.**

