MitroRun 2026 mbledh vrapues në Mitrovicë, qyteti në ritmin e sportit

Mitrovica është bërë sot nikoqire e garës së vrapimit MitroRun 2026, e cila ka sjellë në qytet vrapues, fëmijë dhe qytetarë të apasionuar pas sportit.
Ngjarja është zhvilluar më 18 tetor, me nisje nga sheshi “Adem Jashari”, duke përfshirë tri distanca: 2, 5 dhe 10 kilometra. Gara synon promovimin e aktivitetit fizik, jetesës së shëndetshme dhe përfshirjes së qytetarëve përmes sportit.
MitroRun 2026 është organizuar nga organizata kulturore “7 Arte” në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës dhe partnerët e ngjarjes. Para garës, organizatorët kishin paralajmëruar pjesëmarrjen e rreth 800 garuesve.
Përmes kësaj ngjarjeje, Mitrovica synon të krijojë një traditë të re sportive, duke bashkuar komunitetin dhe duke promovuar qytetin përmes aktiviteteve që nxisin shëndetin, energjinë dhe bashkëpunimin.
MitroRun po e vendos Mitrovicën në hartën e aktiviteteve sportive, duke e kthyer vrapimin në një përvojë që bashkon qytetarët e të gjitha moshave.

