Laporta shpreson që Yamal ta fitojë Topin e Artë: “Ai është një gjeni”
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Lamine Yamal, duke uruar që talenti spanjoll të shpallet fitues i Topit të Artë për vitin 2026.

Laporta shpreson që Yamal ta fitojë Topin e Artë: “Ai është një gjeni”
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Lamine Yamal, duke uruar që talenti spanjoll të shpallet fitues i Topit të Artë për vitin 2026.
Laporta ka vlerësuar lart paraqitjet e 19-vjeçarit, të cilin e ka cilësuar si “gjeni” dhe një prej lojtarëve që e meriton të jetë në garën për çmimin prestigjioz.
“Ai është një djalosh shumë i pjekur dhe një lojtar fantastik. Për mua, ai është një gjeni. Edhe deklaratat e tij janë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Laporta.
Presidenti i klubit katalanas ka theksuar se tifozët duhet ta shijojnë sa më shumë futbollin që po ofron Yamal, duke e përshkruar atë si një lojtar shumë të gjithanshëm.
Laporta ka insistuar se Yamal e meriton plotësisht nominimin për Topin e Artë dhe se do të ishte veçanërisht i lumtur nëse çmimi do të përfundonte në duart e tij.
“Unë mendoj se ai e meriton plotësisht të nominohet dhe, për të qenë i sinqertë, do të isha jashtëzakonisht i lumtur nëse do ta fitonte”, është shprehur ai.
“Siç ju kam thënë, do të isha i lumtur nëse cilido lojtar i Barcelonës, mashkull apo femër, do ta fitonte Topin e Artë. Por veçanërisht Lamine, sepse ai është i nominuar dhe një prej favoritëve kryesorë.”
Laporta më pas ka bërë të qartë dëshirën e tij: “Shpresoj vërtet që Lamine ta fitojë Topin e Artë”.
Yamal vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm 2025/26, gjatë të cilit fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës me Barcelonën, ndërsa më pas u shpall edhe kampion bote me Spanjën në Kupën e Botës 2026.
Edhe starti i sezonit të ri ka qenë mjaft pozitiv për yllin katalanas. Yamal ka realizuar katër gola në katër ndeshjet e para, duke konfirmuar ambicien për të qenë një prej kandidatëve kryesorë për Topin e Artë.

