Kuvendi i Kosovës mblidhet të enjten nga ora 10:00
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës të enjten, duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës mblidhet të enjten nga ora 10:00
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës të enjten, duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo njoftoi se në rend dite do të jenë deklarimet jashtë rendit të ditës nga deputetët, pyetjet parlamentare drejtuar kabinetit qeveritar, si dhe formimi i komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Haxhiu bëri të ditur gjithashtu se nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, është caktuar anëtare e grupit punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat dhe afatet para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas Haxhiut, në këtë grup pritet të ftohen edhe ekspertë të fushës, me qëllim që Kuvendi të japë kontribut profesional në trajtimin e këtij procesi.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë është diskutuar edhe për formimin e delegacioneve parlamentare. Në fund të muajit, Kosovën pritet ta vizitojë një delegacion i madh nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Ndër prioritetet e përmendura janë edhe përbërja e delegacioneve të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Këshillin e Evropës, në SECEI dhe në Frankofoni.

