Kurti: Dogana ka mbledhur 1.347 miliardë euro, të hyrat janë rritur për 6 për qind
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se të hyrat e mbledhura nga Dogana e Kosovës deri tani kanë arritur në 1 miliard e 347 milionë euro.

Sipas Kurtit, kjo paraqet një rritje prej 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ai ka deklaruar se gjatë periudhës 2021–2025, rritja mesatare e të hyrave doganore ka qenë pothuajse trefish më e lartë se norma e rritjes ekonomike. Në këto pesë vite, sipas tij, janë arkëtuar gjithsej 8 miliardë e 380 milionë euro.
Kurti ka veçuar edhe disa nga reformat e ndërmarra për lehtësimin e procedurave për bizneset. Në mesin e tyre ka përmendur përfundimin e procesit të shtetëzimit të terminaleve doganore dhe mundësinë e deklarimit të mallrave para mbërritjes së tyre.
Sipas tij, kjo e fundit ka ndikuar në uljen e kohës së përpunimit të procedurave doganore për rreth 70 për qind.
Përveç rritjes së arkëtimeve, Kurti ka thënë se është avancuar edhe kontrolli kufitar përmes përdorimit të teknologjisë. Ai ka përmendur funksionalizimin e skanerit në Merdarë, i cili, sipas tij, ka rritur kapacitetet për zbulimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.
Në kuadër të modernizimit të mëtejshëm, Kurti ka përmendur edhe projekte si Dritarja e Vetme Kombëtare, Tranziti i Përbashkët, automatizimi i mëtejshëm i procedurave dhe forcimi i kapaciteteve teknologjike të Doganës së Kosovës.

