Kurti: Do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara ka ngritur shqetësimet lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.

Kurti: Do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara ka ngritur shqetësimet lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të pasaktë, duke shprehur pritjen që, sipas tij, mangësitë të adresohen gjatë procedurës së apelit.
Ai ka treguar se për këtë çështje ka diskutuar edhe me drejtues të institucioneve ndërkombëtare, liderë të shteteve mike dhe përfaqësues të mërgatës gjatë qëndrimit në SHBA. Kurti tha se në takime është diskutuar gjithashtu edhe çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri bëri të ditur se të dielën zhvilloi takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Sipas tij, diskutimet u përqendruan në veprimet e përbashkëta pas aktgjykimit të 16 shtatorit dhe në sfidat institucionale e politike.
Kurti e ka cilësuar deklaratën e miratuar nga Kuvendi më 28 shtator, me **99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim**, si hapin e parë të përbashkët institucional.
Ai ka kërkuar bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike dhe koordinim me ekipet mbrojtëse, duke theksuar se veprimet institucionale duhet të jenë të kujdesshme që të mos ndikojnë negativisht në procesin e apelit.
“Si kryeministër do të bëjmë gjithçka që dimë e mundemi bashkë me kolegët nga Qeveria e jo vetëm për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli e drejt tij”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, ai ka folur edhe për rolin e UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998–1999, duke thënë se ajo u krijua si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve dhe masakrave dhe se ishte bartëse e luftës së popullit të Kosovës.

