Kurti: 15 vjet nga marrëveshja, Serbia nuk e ka dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes për dorëzimin e dokumentacionit kadastral të Kosovës, duke thënë se kanë kaluar më shumë se 15 vjet nga nënshkrimi i saj dhe se ende nuk është dorëzuar as kopja e dokumenteve.

Kurti: 15 vjet nga marrëveshja, Serbia nuk e ka dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes për dorëzimin e dokumentacionit kadastral të Kosovës, duke thënë se kanë kaluar më shumë se 15 vjet nga nënshkrimi i saj dhe se ende nuk është dorëzuar as kopja e dokumenteve.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnim (ATRC) dhe Banka Botërore, Kurti kujtoi marrëveshjen e 2 shtatorit 2011 dhe donacionin prej 2 milionë eurosh të ndarë nga Bashkimi Evropian për këtë proces.
“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar më datë 2 shtator 2011. Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se lë më origjinalin”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi rëndësinë e dokumentacionit pronësor për sigurinë juridike të qytetarëve dhe mirëqenien e familjeve. Duke folur për projektin PIAKOS, Kurti tha se përmes tij janë mbështetur qytetarët në 16 komuna, veçanërisht gratë në regjistrimin e pronave dhe procedurat e trashëgimisë.
Sipas kryeministrit, regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve ka shënuar rritje të ndjeshme, nga rreth 100 regjistrime në vitin 2016 në afërsisht 31 mijë.
“Kemi bërë një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, tha ai.
Kurti përmendi edhe projektin REGIP, që po zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe përfshin rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale. Ai paralajmëroi se institucionet nuk do të tolerojnë falsifikimin apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike.
“Nuk ka më tolerancë për abuzimet, falsifikimet apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Çdo parregullsi dhe çdo dosje e dyshimtë, qoftë në proces të shpronësimeve apo të kadastrit, po dërgohet me vendosmëri në prokurori”, deklaroi Kurti.
Në fund, kryeministri bëri të ditur se në veri të Kosovës janë verifikuar dhe regjistruar mbi 23 mijë e 600 prona të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë. Ai përmendi gjithashtu procesin e emërtimit të rrugëve në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

