"Kthesë" në tregun e banesave në Vlorë: Bien çmimet, tërhiqen blerësit e huaj

Tregu i banesave në Vlorë duket se po humbet një pjesë të vrullit të viteve të fundit. Agjentët imobiliarë flasin për një ulje të çmimeve me rreth 10 deri në 15%, ndërsa edhe kërkesa për blerje është dobësuar, veçanërisht nga ana e klientëve të huaj. Sipas tyre, situata në treg nuk është më e njëjtë me atë të një apo dy viteve më parë, kur kërkesa për prona në qytetin bregdetar ishte më e lartë.
“Situata nuk është e njëjtë me një apo para dy vitesh. Çmimet kanë pësuar një tkurrje me 10-15%. Edhe kërkesa nuk është e njëjtë, është disi më e ulët sidomos nga ana e të huajve, për të mos thënë që kemi disa klientë që kanë ardhur me vrull të madh dhe aktualisht këto kohët e fundit janë larguar", tha Renato Banushi, agjent imobiliar në Vlorë.
Pavarësisht rënies, çmimet në disa prej zonave më të kërkuara të Vlorës vijojnë të jenë të larta. Aktualisht, një apartament mund të kushtojë nga rreth 1 mijë e 200 euro deri në 3 mijë e 500 euro për metër katror, në varësi të zonës dhe cilësisë së ndërtimit.
Lungomare dhe zona e Skelës mbeten ndër pjesët më të preferuara të qytetit për blerje pronash. Por çmimet e larta bëjnë që blerja e një banese të jetë e vështirë për familjet me të ardhura mesatare.
Sipas agjentëve, edhe investitorët e huaj, të cilët vitet e fundit kanë qenë një burim i rëndësishëm kërkese në tregun e pasurive të paluajtshme, po shfaqin më shumë kujdes. "Të huajt janë investitorë më të mirë dhe kanë më shumë mundësi, por që aktualisht kanë filluar të tërhiqen për shkak të infrastrukturës dhe asaj që ne ofrojmë si qytet", shtoi Banushi.

