Kosova rrezikon ta humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030
Kosova rrezikon të humbë të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, pas problemeve të evidentuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) lidhur me përmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Kosova rrezikon ta humbë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030
Kosova rrezikon të humbë të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, pas problemeve të evidentuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) lidhur me përmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.
Në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për mungesën e përgjigjeve institucionale dhe detyrimet e papërmbushura.
Sipas letrës, organizata nuk ka marrë përgjigje ndaj një shkresë të dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të ishte siguruar deri në janar të vitit 2026, ndërsa nuk është paguar as tarifa për muajin qershor të këtij viti.
ICMG-ja ka paralajmëruar se këto probleme mund të rrezikojnë seriozisht përgatitjet për “Prishtina 2030”. Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm lidhur me organizimin e lojërave.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi letrën dhe kritikoi Qeverinë qendrore për situatën e krijuar, duke ia atribuar përgjegjësinë kryeministrit Albin Kurti dhe Komitetit Organizativ.
“Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG)”, shkroi Rama, duke paralajmëruar se Kosova mund ta humbë këtë mundësi.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 ishte konsideruar një nga sukseset më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës. Tashmë, e ardhmja e këtij organizimi mbetet e pasigurt, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme institucionale.

