“Kjo nuk është lamtumirë”, Stresi paralajmëron një pauzë nga muzika
Reperi shqiptar Stresi ka paralajmëruar një ndryshim të ri në karrierën e tij, duke bërë të ditur se do të marrë një pauzë të përkohshme nga muzika.

“Kjo nuk është lamtumirë”, Stresi paralajmëron një pauzë nga muzika
Reperi shqiptar Stresi ka paralajmëruar një ndryshim të ri në karrierën e tij, duke bërë të ditur se do të marrë një pauzë të përkohshme nga muzika.
Përmes një postimi në Instagram, ai ka njoftuar se disa prej këngëve të tij, të cilat për një kohë të gjatë kanë mbetur të papublikuara për shkak të problemeve teknike dhe procedurave kontraktuale me YouTube, së shpejti do të jenë të qasshme për fansat.
Projektet e reja pritet të publikohen në orën 19:00. Megjithatë, krahas këtij lajmi, Stresi ka bërë edhe një njoftim tjetër që ka ngjallur kureshtje te ndjekësit e tij.
Menjëherë pas publikimit të këngëve, reperi planifikon të shkëputet përkohësisht nga muzika, por ka theksuar se kjo nuk përbën një largim përfundimtar nga skena.
Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe dëshiron t’u përkushtohet projekteve të tjera profesionale.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashuria për ata që më kanë qëndruar pranë”, ka shkruar Stresi.
Në mesazhin e tij, reperi ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij ndër vite, përfshirë fansat, mbështetësit, kolegët dhe madje edhe kritikët, duke thënë se secili prej tyre ka pasur ndikimin e vet në karrierën e tij.
“Më në fund janë aty ku duhet të jenë, te ju”, ka shkruar ai, duke iu referuar këngëve që kanë mbetur të bllokuara për një kohë të gjatë.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe e ka marrë paralajmërimi për pauzën muzikore dhe projektet e reja që ai mund të realizojë gjatë kësaj periudhe.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt”, ka përfunduar Stresi.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë projektet e reja profesionale të reperit dhe në çfarë forme do të rikthehet ai në skenën muzikore pas pauzës.

