Kadrijaj për protestat në Shqipëri: Protesta është e drejtë qytetare, por djegia e institucioneve është e papranueshme
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se protestimi është e drejtë themelore në një vend demokratik, por ka kundërshtuar dhunën dhe djegien e institucioneve gjatë protestave në Shqipëri.

Ajo ka theksuar se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë dhe të kërkojnë ndryshime, por u ka bërë thirrje palëve që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut.
“Është e drejtë e secilit për të protestuar, ngase, sikurse në Kosovë, edhe në çdo vend demokratik, popullata ka të drejtë të reagojë për çdo çështje. Mirëpo, ajo që nuk më pëlqen është dhuna që po zhvillohet, si nga protestuesit, ashtu edhe nga policia”, ka deklaruar Kadrijaj.
Deputetja ka thënë se shkatërrimi i institucioneve është i papranueshëm, duke theksuar se ndërtimi i Kosovës ka kërkuar shumë mund dhe përgjegjësi. Ajo ka shprehur shqetësimin e saj edhe për situatën në Shqipëri.
“Unë nuk jam për përdorimin e dhunës, as për djegien dhe shkatërrimin e institucioneve. Nuk do të kisha dashur ta shihja Shqipërinë me institucione të djegura e të përfshira nga zjarri. Duhet ta gjejnë rrugën e dialogut, të ulen dhe të diskutojnë për kërkesat konkrete që kanë qytetarët dhe protestuesit”, u shpreh ajo.
E pyetur për protestën kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Kadrijaj tha se nuk ka informacione të mjaftueshme për të komentuar rreth saj.
“Nuk kam informata se kush e ka thirrur. Në momentin që siguroj informata të mjaftueshme, atëherë mund t’ju përgjigjem”, deklaroi Kadrijaj.