Haaland thyen një tjetër rekord në derbin e Manchesterit: “Ka qenë gjithmonë special”
Erling Haaland ka vendosur një rekord të ri në derbin e Manchesterit, duke u bërë futbollisti me më së shumti gola në këtë përballje në historinë e Ligës Premier.

Haaland thyen një tjetër rekord në derbin e Manchesterit: “Ka qenë gjithmonë special”
Erling Haaland ka vendosur një rekord të ri në derbin e Manchesterit, duke u bërë futbollisti me më së shumti gola në këtë përballje në historinë e Ligës Premier.
Sulmuesi i Manchester Cityt shënoi në ndeshjen e fundit ndaj Manchester United, duke e çuar në nëntë numrin e golave të tij në derbet ndaj “Djajve të Kuq”.
Me këtë arritje, Haaland ka kaluar dy emra legjendarë të futbollit anglez, Sergio Agueron dhe Wayne Rooneyn, të cilët kanë realizuar nga tetë gola në derbin e Manchesterit në Ligën Premier.
Norvegjezi ka pranuar se ishte në dijeni për rekordin dhe se kjo shifër kishte mbetur në mendjen e tij.
“E dija për këtë rekord më herët, e kisha lexuar dhe kishte mbetur në kokën time”, ka deklaruar Haaland për faqen zyrtare të Manchester Cityt.
“Jam jashtëzakonisht krenar për këtë. Është diçka që më bën vërtet, vërtet të lumtur, sepse të gjithë e dimë se sa special është ky derbi”, ka shtuar ai.
Haaland ka folur edhe për rivalitetin që ka përjetuar që prej transferimit të tij në Manchester.
“Që nga momenti kur erdha në Manchester, ata më kanë dhënë pak, ndërsa edhe unë u kam dhënë pak atyre”, është shprehur sulmuesi, duke iu referuar rivalitetit mes dy klubeve.
Megjithatë, ai ka theksuar se përtej rivalitetit dhe ngacmimeve mes tifozëve, duhet të ekzistojë edhe respekti dhe dashuria për futbollin.
“Kur vjen puna te kjo, bëhet fjalë për pak ngacmime mes palëve, për ta shijuar dashurinë për futbollin dhe për të luftuar për ekipin tënd”, ka thënë Haaland.
Ai ka shtuar se derbi i Manchesterit ka pasur një rëndësi të veçantë për të që nga paraqitja e tij e parë në “Etihad” kundër Manchester United.
“Besoj se ky derbi, që nga debutimi im në ‘Etihad’ kundër Manchester United, ka qenë gjithmonë special për mua”, ka përfunduar norvegjezi.

