Gruda: Kanë mbetur 13 ditë për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai, sipas tij, ka konfirmuar qëndrimet e PDK-së lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve.

**Gruda: Kanë mbetur 13 ditë për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve**
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai, sipas tij, ka konfirmuar qëndrimet e PDK-së lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve.
Gruda ka deklaruar se Gjykata ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh.
Ai ka theksuar gjithashtu se, bazuar në vendimin e Kushtetueses, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
“Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar”, ka deklaruar Gruda.
Deputeti i PDK-së ka kërkuar edhe zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e kësaj partie, pozitë që sipas vendimit të Gjykatës i takon grupit të dytë më të madh parlamentar.
“Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet. Kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare”, ka shkruar ai.
Gruda ka thënë se pas vendimit të Kushtetueses, subjektet politike kanë 13 ditë për të ndërmarrë veprime lidhur me disa çështje që ai i konsideron urgjente.
“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka shtuar se afatet kushtetuese nuk duhet të varen nga kalkulimet politike.
“Afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”, ka shkruar Gruda.
Gruda ka qenë ndër deputetët e PDK-së që gjatë javëve të fundit kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe më pas edhe zgjedhjen e Qeverisë.

