E Enjte, 29 Tet 2026
LAJMET20 Tet 2026

Gjykata Supreme i jep të drejtë Odës së Avokatëve, refuzon kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesëpadinë e Ministrisë së Drejtësisë për shfuqizimin e Rregullores së Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), e cila përcakton mënyrën e pranimit dhe trajtimit të kërkesave për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Gjykata Supreme i jep të drejtë Odës së Avokatëve, refuzon kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë

Gjykata Supreme i jep të drejtë Odës së Avokatëve, refuzon kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesëpadinë e Ministrisë së Drejtësisë për shfuqizimin e Rregullores së Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), e cila përcakton mënyrën e pranimit dhe trajtimit të kërkesave për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Me aktgjykimin P.A.nr.18/2026, të datës 17 shtator 2026, Supremja e ka vlerësuar si të pathemeltë kërkesën e Ministrisë për shfuqizimin e plotë të Rregullores nr.90/2026.

Lajmin e ka bërë të ditur Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila e ka cilësuar vendimin si një sukses të rëndësishëm institucional dhe konfirmim të ligjshmërisë së rregullores.

Sipas njoftimit të OAK-së, Gjykata Supreme ka konstatuar se rregullorja është miratuar nga organi kompetent, brenda autorizimeve ligjore dhe në përputhje me Ligjin për Avokatinë dhe Kodin e Procedurës Penale.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se akti nuk tejkalon kompetencat e Odës dhe nuk cenon hierarkinë e akteve juridike, por përfaqëson ushtrim të ligjshëm të autonomisë së saj organizative dhe funksionale.

**Supremja: Pretendimet e Ministrisë nuk u mbështetën me prova konkrete**

Një nga çështjet kryesore të shqyrtuara ishte pretendimi i Ministrisë së Drejtësisë se zbatimi i rregullores mund të pengonte zhvillimin e procedurave penale dhe të cenonte të drejtën e qytetarëve për mbrojtje.

Megjithatë, sipas OAK-së, Gjykata Supreme ka konstatuar se Ministria nuk kishte paraqitur raste konkrete ku zbatimi i nenit 6 të rregullores kishte lënë ndonjë person pa avokat, kishte shkaktuar vonesa procedurale apo kishte penguar zhvillimin e procedurës penale.

Gjykata ka konfirmuar edhe të drejtën e Odës për të përcaktuar rregulla për komunikimin dhe administrimin e kërkesave institucionale për caktimin e mbrojtësve.

Sipas vendimit, kërkimi i të dhënave për identifikimin e personave dhe verifikimin e konfliktit të interesit nuk përbën pengesë për ushtrimin e së drejtës për mbrojtje, por shërben për caktimin transparent dhe të ligjshëm të avokatëve.

Në rastet urgjente, Gjykata ka sqaruar se mungesa e të dhënave dytësore, të cilat mund të verifikohen më vonë, nuk duhet të pengojë caktimin e menjëhershëm ose të përkohshëm të mbrojtësit.

Oda e Avokatëve ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat, duke kërkuar respektimin e kompetencave dhe përgjegjësive të secilit institucion.

“Autoriteti institucional ndërtohet përmes ligjshmërisë, profesionalizmit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarit”, thuhet në reagimin e OAK-së.

Me këtë vendim, sipas njoftimit të Odës, Rregullorja nr.90/2026 mbetet në fuqi, ndërsa kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për shfuqizimin e saj është refuzuar.

Hapsir Reklamuese