Faton Peci nënshkruan kontratën 309 mijë euroshe për modernizimin e semaforëve në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka nënshkruar sot kontratën dyvjeçare në vlerë prej 309 mijë e 320 eurosh për mirëmbajtjen e semaforëve dhe vendosjen e tabelave të reja digjitale të trafikut në qytet.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-prokurimi, kontrata ka kohëzgjatje prej 24 muajsh, ndërsa vlera e parashikuar fillimisht për këtë projekt ishte 320 mijë euro. Bëhet fjalë për një tender të ritenderuar, në të cilin është dorëzuar vetëm një ofertë.
Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “Techno Inspect” SH.P.K., “Bahri Asllani” dhe “I.T.K.” SH.P.K.
Në kuadër të kësaj kontrate, operatorët do të jenë përgjegjës për mirëmbajtjen e semaforëve, si dhe për furnizimin, montimin dhe funksionalizimin e tabelave informuese digjitale, të cilat synojnë të përmirësojnë informimin dhe menaxhimin e trafikut në Mitrovicë.

