E Enjte, 29 Tet 2026
POLITIKË19 Tet 2026

Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj deklarohen të pafajshëm për këmbimin e pronës dhe 60 mijë eurot e padeklaruara

Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj janë deklaruar sërish të pafajshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po përballen me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me këmbimin e pronës së ish-Bankosit në Mitrovicë.

Mujka, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, akuzohet gjithashtu për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, lidhur me 60 mijë e 50 euro që, sipas Prokurorisë, i ishin gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e tij.

Pas deklarimit rreth fajësisë, seanca e së hënës ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve hyrëse të palëve në procedurë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 9 shtator 2025, Mujka, në cilësinë e atëhershme të nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, si drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, dyshohet se kishin tejkaluar kompetencat për t’u siguruar përfitim pasuror personave të tretë, në dëm të pronës publike.

Prokuroria pretendon se një pjesë prej 139 metrash katrorë e pronës së ish-Bankosit ishte paraqitur si pronë komunale për t’u këmbyer me një parcelë private prej 102 metrash katrorë në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se e dinin që prona nuk i përkiste Komunës dhe se për të kishte një proces gjyqësor të iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe ndërmarrja shoqërore “Jugobanka”. Dëmi i pretenduar ndaj AKP-së është vlerësuar në 125 mijë e 100 euro.

Pika tjetër e aktakuzës ndaj Mujkës lidhet me shumën prej 60 mijë e 50 eurosh, të cilat, sipas Prokurorisë, iu gjetën gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Mitrovicë më 15 korrik 2023. Pretendohet se kjo shumë nuk ishte përfshirë në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin paraprak, ndonëse ai kishte detyrim ta deklaronte.

Të dy të akuzuarit e kishin mohuar fajësinë edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 20 tetor 2025.

**Shënim:** Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Hapsir Reklamuese