Dogana rikujton të drejtën për ankesë ndaj vendimeve të saj

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person ka të drejtë të parashtrojë ankesë ndaj vendimeve të Doganës që lidhen me zbatimin e legjislacionit doganor dhe që e prekin drejtpërdrejt dhe individualisht. Sipas Doganës, kjo e drejtë përcaktohet me Nenin 27 të Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave.
“Çdo person mund të parashtrojë ankesë kundër çdo vendimi të nxjerrë nga Dogana lidhur me zbatimin e legjislacionit doganor, kur ky vendim ka të bëjë drejtpërdrejt dhe individualisht me atë person”, thuhet në njoftim.
E drejta për ankesë vlen edhe kur një person ka aplikuar për një vendim, por nuk e ka pranuar atë brenda afateve të përcaktuara. “Gjithashtu, e drejta e ankesës mund të ushtrohet edhe në rastet kur një person ka aplikuar për një vendim dhe nuk e ka pranuar vendimin përkatës brenda afateve të përcaktuara me Kod”, ka bërë të ditur Dogana. Në materialin informues të publikuar nga institucioni thuhet se e drejta për ankesë është “një e drejtë që ju garanton mbrojtje dhe trajtim të drejtë”.
“Njohja e të drejtave tuaja është pjesë e rëndësishme e një procedure doganore transparente dhe të drejtë”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Kodi Nr. 08/L-247 përcakton po ashtu se ankesa mund të parashtrohet brenda 30 ditëve nga njoftimi me aktin ose nga përfundimi i afatit për nxjerrjen e vendimit, ndërsa Dogana duhet të vendosë për ankesën brenda 60 ditëve.
Për informata, Dogana ka publikuar edhe numrin pa pagesë 0800 500 95.

