E Enjte, 29 Tet 2026
KULTURË7 Sht 2026

Avokati i Popullit kërkon rregullim të statusit juridik të bashkësive fetare në Kosov

Avokati i Popullit ka publikuar një Opinion lidhur me njohjen e bashkësive fetare dhe rregullimin e statusit të tyre juridik në Republikën e Kosovës.

Avokati i Popullit kërkon rregullim të statusit juridik të bashkësive fetare në Kosov

Avokati i Popullit kërkon rregullim të statusit juridik të bashkësive fetare në Kosovë

Avokati i Popullit ka publikuar një Opinion lidhur me njohjen e bashkësive fetare dhe rregullimin e statusit të tyre juridik në Republikën e Kosovës.

Opinioni është nxjerrë pas shqyrtimit të ankesës së Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, e cila kishte ngritur çështjen e pamundësisë për të deklaruar në mënyrë të veçantë përkatësinë e saj fetare në Regjistrimin e Popullsisë të vitit 2024.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo situatë lidhet me boshllëqe në kuadrin aktual ligjor, i cili nuk përcakton një mekanizëm efektiv për regjistrimin dhe fitimin e personalitetit juridik nga bashkësitë fetare. Këto mangësi, sipas Opinionit, kanë krijuar pasoja praktike dhe juridike edhe në ushtrimin e lirë të veprimtarisë së tyre.

Në Opinion vlerësohet gjithashtu se mënyra se si ishte formuluar pyetja për përkatësinë fetare në Regjistrimin e Popullsisë 2024 nuk e garantonte plotësisht të drejtën e qytetarëve për vetë-identifikim fetar dhe nuk pasqyronte në tërësi pluralizmin fetar në Kosovë.

Avokati i Popullit ka vënë në dukje se përfshirja e vetëm disa bashkësive fetare në formular, ndërsa të tjerat ishin përfshirë në kategorinë “Tjetër”, mund të ndikojë në dukshmërinë institucionale të këtyre bashkësive dhe të krijojë rrezik për trajtim të pabarabartë.

Institucioni ka theksuar se shteti duhet të ruajë neutralitetin dhe paanshmërinë në çështjet fetare, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjitha bashkësitë fetare, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në këtë kuadër, Avokati i Popullit u ka kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të ndërmarrin hapa për krijimin e një kuadri të plotë ligjor për regjistrimin dhe përcaktimin e statusit juridik të bashkësive fetare.

Sipas rekomandimeve, ky kuadër duhet të bazohet në kritere objektive, transparente dhe jodiskriminuese, në harmoni me Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Institucionet publike, sipas Opinionit, duhet që në proceset e ardhshme të mbledhjes së të dhënave statistikore dhe hartimit të politikave publike të respektojnë vetë-identifikimin fetar, barazinë para ligjit dhe parimin e mosdiskriminimit.

Avokati i Popullit ka ritheksuar se pluralizmi fetar, autonomia e bashkësive fetare dhe trajtimi i barabartë i tyre janë pjesë e rëndësishme e një shoqërie demokratike dhe e garantimit efektiv të lirisë së besimit, ndërgjegjes dhe fesë.

Hapsir Reklamuese