Avdullahu para ndeshjes me Irlandën: “Jemi gati, Osmani është supertalent”
Mesfushori i Kosovës, Leon Avdullahu, ka folur para ndeshjes së parë të “Dardanëve” në Ligën e Kombeve, duke thënë se skuadra është e gatshme për përballjen me Irlandën.

**Avdullahu para ndeshjes me Irlandën: “Jemi gati, Osmani është supertalent”**
Mesfushori i Kosovës, Leon Avdullahu, ka folur para ndeshjes së parë të “Dardanëve” në Ligën e Kombeve, duke thënë se skuadra është e gatshme për përballjen me Irlandën.
Kosova do të luajë ndaj Irlandës të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes hapëse të këtij cikli.
Avdullahu pret një duel fizik dhe me ritëm të lartë, por beson se Kosova i ka cilësitë e nevojshme për të konkurruar ndaj irlandezëve.
“Presim lojë fizike, të shpejtë. Kemi respekt për Irlandën. Do të jemi gati dhe nuk kemi pse të fshihemi. Besoj se jemi të përgatitur për Irlandën. Edhe ne jemi të fortë dhe gati për t’u përballur me Irlandën. Edhe ne kemi lojtarë të fortë për t’u përballur me ta”, ka deklaruar Avdullahu.
Mesfushori i Hoffenheimit ka folur edhe për Erblin Osmanin, talentin 17-vjeçar të Bayern Munichut, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën.
Avdullahu ka treguar se ka biseduar me Osmanin dhe ka shprehur kënaqësinë për vendimin e tij, duke e vlerësuar si një futbollist me potencial të madh.
“Kemi biseduar dhe më vjen mirë që Erblini ka vendosur të luajë për Kosovën. Është supertalent dhe do t’i ndihmojë shumë Kosovës. Jam i kënaqur që lojtarët e rinj po vendosin ta përfaqësojnë Kosovën. Kosova po shkon duke u përforcuar”, ka thënë ai.
Kosova garon në Grupin 3 të Ligës B, së bashku me Irlandën, Austrinë dhe Izraelin.
Pas ndeshjes me Irlandën, “Dardanët” do të përballen me Austrinë më 27 shtator, me Izraelin më 1 tetor dhe sërish me Austrinë më 4 tetor.


