Arrestohet 36-vjeçari nga Prishtina në Morinë, iu gjetën 691 fishekzjarre
Një 36-vjeçar nga Prishtina është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi dyshohet se po tentonte të fuste ilegalisht në Shqipëri një sasi të konsiderueshme të mjeteve piroteknike.

Rasti është zbuluar gjatë kontrolleve të Policisë Kufitare, të cilat janë kryer në bazë të analizës së riskut. Për një kontroll më të detajuar është ndaluar një automjet “Mercedes-Benz”, që drejtohej nga personi me inicialet G.M.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët kanë gjetur 11 kuti me gjithsej 691 fishekzjarre. Malli është sekuestruar dhe është marrë si provë materiale.
Sipas dyshimeve të Policisë, 36-vjeçari kishte planifikuar që fishekzjarret t’i fuste në mënyrë të kundërligjshme në Shqipëri, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.
Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve në DVKM Kukës kanë bërë arrestimin e të dyshuarit.
Ai dyshohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, ndërsa rasti tashmë po trajtohet nga organet kompetente.